Shkodra me ndryshime, kërkohet mbyllja e disa shkollave dhe rritet numri i nxënësve me aftësi të kufizuara

Aktualitet

Shkodra me ndryshime, kërkohet mbyllja e disa shkollave dhe rritet numri i
Para nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër, Brisela Kadia, ka bërë të ditur se këtë vit nuk ka rënie të numrit të nxënësve në shkollat e bashkisë.

Sipas saj, numri mbetet thuajse i njëjtë me vitin e kaluar, me rreth 10 800 nxënës në total, ndërsa është regjistruar një rritje e lehtë e fëmijëve që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Kadia evidentoi si shqetësim rritjen e numrit të nxënësve me aftësi të kufizuara.

Në shkollat ku mungojnë mësuesit ndihmës, vendet e nevojshme pritet të plotësohen nëpërmjet portalit.

Deri tani, në shkollat e Shkodrës janë regjistruar 20 nxënës të kthyer nga emigrimi. Gjatë gjithë vitit të kaluar shkollor, numri i fëmijëve të rikthyer nga emigracioni që u pranuan në këto institucione arsimore arriti në rreth 120.

Ndërkohë, një situatë e veçantë paraqitet në disa fshatra të largëta dhe zona malore, ku vetë komunitetet kanë kërkuar mbylljen e shkollave ose të anekseve me shumë pak nxënës. Sipas Kadisë, në disa raste fëmijët kanë mbetur pothuajse të vetëm në shkollat e tyre, duke ndikuar edhe në cilësinë dhe normalitetin e procesit mësimor.

Prindërit kanë kërkuar që fëmijët të transferohen në shkolla të bashkuara, ku ka më shumë nxënës dhe kushte më të përshtatshme për zhvillimin e mësimit.

Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim për mbylljen e ndonjë shkolle apo aneksi.

Vlerësimi i situatës do të vijojë deri në tetor, ndërsa një nga sfidat kryesore, në rast të transferimit të nxënësve, mbetet sigurimi i transportit nga zonat e largëta rurale dhe malore drejt shkollave përkatëse.

Sa i përket sigurisë, disa shkolla në zonat malore vijojnë të mos kenë kamera. Kadia u shpreh se bëhet fjalë për institucione me numër të vogël nxënësish dhe komunitete homogjene, ku deri tani nuk janë evidentuar problematika të ngjashme me ato që mund të shfaqen në shkollat e mëdha.

ME TE LEXUARAT