SPAK: Nëna e Monika Kryemadhit të dënohet me 5 vjet burg, pastroi paratë
Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhit e cila akuzohet për pastrim parash. SPAK tha se ajo duhet të shpallet fajtore dhe të dënohet me 7 vjet heqje e 6 muaj burg që sipas procedurës së shkurtuar i shkon 5 vjet.
Duke marrë në konsideratë moshën, prokurorët në përfundim i kërkuan gjykatës që dënimi të pezullohet dhe t’i konvertohet në 5 vjet shërbim prove.
Sipas prokurorëve Sotir Kllapi dhe Arben Kraja e ëma e Kryemadhit nuk justifikon dot disa shuma parash dhe po ashtu dy kredi që ajo ka marrë. Ata e përmbyllin argumentin se shlyerja e tyre është bërë me para në dorë.
Ema Çoku, po ashtu akuzohet për pastrim parash: ajo është bashkëpunëtore e ngushtë e Monika Kryemadhit – thotë SPAK – dhe kjo provohet jo vetëm nga komunikimet e shpeshta, por edhe nga disa transaksione te ndryshme bankare. Njëlloj si për Fatime Kryemadhin, edhe për të prokuroria kërkoi të dënohet në përfundim më shërbim komunitar për 5 vjet.
I treti bashkëpuëntor në dosjen “Meta- Kryemadhi”, është babai i deputetes Erisa Xhixho, Piro Xhixho. Ky i fundit, dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv përgjatë periudhës që ka shërbyer si drejtues i (Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP).
Ai akuzohet për episodin e lidhjes së fibrës optike dhe marrëveshjen e interkonjeksionit për të favorizuar kompaninë e Adrian Shatkut. Për të SPAK kërkoi të dënohet me 4 vite e 6 muaj burg me gjykim të shkruaruar 3 vite burg. Në përfundim edhe për Xhixhon dënimi u kërkua të lehtësohej në 5 vjet shërbim prove.
SPAK ndërkohë kërkoi ehe konfiskimin e shtëpisë së Fatime Kryemadhit.