Shkoi për kontroll në spital, 54-vjeçarit i bie pistoleta nga çanta dhe shkrepet aksidentalisht. Procedohet edhe djali i tij dhe një punonjës

Aktualitet

Shkoi për kontroll në spital, 54-vjeçarit i bie pistoleta nga

Një 54-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë pasi dyshohet se ka shkaktuar një shkrepje të pavullnetshme me armë zjarri brenda ambienteve të Spitalit Rajonal të Lezhës.

Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi me inicialet G. N., 54 vjeç, kishte shkuar në spital për të marrë mjekim për shkak të problemeve shëndetësore, por gjatë qëndrimit aty dyshohet se nga çanta e krahut i ka rënë një armë zjarri, e dyshuar si pistoletë, duke shkaktuar një shkrepje aksidentale.

Në vijim të hetimeve, policia ka shpallur në kërkim djalin e tij, 18 vjeç, i cili dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Po ashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një punonjës i Spitalit Rajonal të Lezhës, me detyrë punonjës IT, shtetasi A. V., 54 vjeç, i dyshuar se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të rastit dhe për dokumentimin ligjor të veprimeve të secilit prej personave të përfshirë.

ME TE LEXUARAT