Shkodër, qytetarët mirëpresin aksionin për lirimin e hapësirave publike: “E drejtë dhe e vonuar”

Aksioni kombëtar për lirimin e hapësirave publike, i ndërmarrë së fundmi në disa qytete të vendit, ka nisur zbatimin edhe në Shkodër. Prej disa ditësh, Policia Bashkiake ka zbarkuar në terren, duke identifikuar dhe njoftuar subjektet private që kanë uzurpuar trotuaret dhe hapësirat rekreative me struktura metalike, pode dhe objekte të tjera pa leje.
Ky ndërhyrje është përshëndetur nga qytetarët, të cilët e konsiderojnë një veprim të domosdoshëm, ndonëse të vonuar. Sipas tyre, për një kohë të gjatë, në shumë zona të qytetit – veçanërisht në rrugët kryesore dhe në zonat e frekuentuara – kalimi i lirë i këmbësorëve është bërë i pamundur, për shkak të zënies së trotuareve nga biznese private.
“Kjo punë është e drejtë. Duhet të lirohen hapësirat, sepse është zënë rruga, nuk ke ku të kalosh. Madje është pak e vonuar,” – shprehen disa prej banorëve të Shkodrës.
Qëllimi i këtij aksioni është rikthimi i hapësirave të përbashkëta për qytetarët, duke i dhënë fund informalitetit që, në shumë raste, ka ndikuar negativisht në cilësinë e jetës urbane dhe në sigurinë e lëvizjes.
Policia Bashkiake është duke vijuar paralajmërimet ndaj bizneseve, ndërkohë që në ditët në vijim pritet të nisë largimi i detyruar i strukturave që nuk respektojnë afatet ligjore për lirimin vullnetar të territorit të zënë.
Ky operacion është pjesë e një fushate më të gjerë që synon normalizimin e përdorimit të hapësirave publike, duke garantuar një mjedis urban më funksional dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët.


