Salvador Aliu furnizonte Dizdarin, Gjikën e Pacanin! SKEMA: Kokaina me ‘shqiponjë’ e ‘jaguar’, në anije nga Kina...

Një aksion i ndërmarrë nga SPAK një ditë më parë, çoi në goditjen e një grupi kriminal i cili ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga vendet e Amerikës Latine në Europë, gjatë periudhës 2019-2020. Me paratë e kokainë u arrit të ndërtohej një perandori ekonomike me hotele, kompani ndërtimi, vila luksoze, apartamente, toka dhe qindra llogari bankare.
Në krye të grupit dyshohet se qëndron Salvadore alias Shpëtim Aliu, ndërsa urdhër-arrest është lëshuar edhe për emra të njohur në fushën e narkotikëve, si Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika. Aliu vitet e fundit ka jetuar jashtë vendit dhe për autoritetet shqiptare ishte thuajse një figurë e panjohur, por hetimet e SPAK zbuluan se ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit. Salvadore dyshohet se mban kontakte me bosë të karteleve në vendet e Amerikës së Jugut dhe siguron sasi të mëdha të kokainës që trafikoheshin drejt Belgjikës, Holandës dhe Francës.
SPAK ka zbërthyer se si funksiononte ky grup dhe si kalonon tonelatat e drogës në portet kryesore. Kokaina e paketuar mbante logot “Jaguar”, “Shqiponjë” dhe “BB”, që sipas hetuesve shërbenin për identifikimin e porosive.
Vetëm në 5 episode të dokumentuara janë sekuestruar 8 ton e 960 kilogramë kokainë. Fillimisht 700 kilogramë në portin e Antverpit në Belgjikë, të fshehura në kontejnerë me pjesë këmbimi automjetesh. Më pas 2.010 kilogramë në Guayaquil të Ekuadorit. Në gusht 2020 u kapën 1.100 kilogramë në Roterdam, në dhjetor të po atij viti 4.1 ton kokainë po në Holandë, ndërsa në shkurt 2021 u godit një tjetër ngarkesë prej 1 ton e 50 kilogramësh me destinacion Francën.
Sasia e drogës fshihej nëpër kontenier me pjesë këmbimi makinash nga anije të ardhur nga Kina apo me anije detare të ardhura nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Në gusht 2020 u kapën 1.100 kilogramë në Roterdam, në dhjetor të po atij viti 4.1 ton kokainë po në Holandë, ndërsa në shkurt 2021 u godit një tjetër ngarkesë prej 1 ton e 50 kilogramësh me destinacion Francën.
Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Dosja përshkruan një skemë të sofistikuar ku paratë kalonin nga individë te kompani, nga kompani te ortakë, nga ortakë te prona të paluajtshme, duke humbur gjurmën e origjinës kriminale.


