Mandati i Neomalsores, është fitorja e parë politike e protestës

Politikë

Mandati i Neomalsores, është fitorja e parë politike e

Mero Baze

Socialistët janë përpjekur të mos debatojnë rreth largimit të Marjan Koçekut, si deputete e Shkodrës. Përveç disa reagimeve spontane që i kërkojnë asaj të kthejë mandatin tek Partia Socialiste, nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar. Marjana me sa duket ka pritur më shumë reagime dhe sidomos ka pritur reagim zyrtar nga Partia Socialiste dhe meqë ai po vonon, ajo ka filluar t’i përgjigjet çdo kujt që shkruan për të.

Përveç përparimeve gjuhësore që janë të dukshme në statuset e saj në rrjete sociale në favor të normës letrare dhe jo aq nëndialektore sa është përpjekur të jetë kur ishte deputete e PS, ajo ka dhe një përparim politik duke treguar ambiciet e saj për zgjedhje të parakohshme dhe për kandidimin e saj të mundshëm në Tiranë.

Ky është suksesi i parë politik i protestës.

Deri tani protesta ka prodhuar lajme ndërkombëtare të cilat në fakt më shumë i ka prodhuar familja Trump se sa protesta. Ka prodhuar dhe një protestë të bukur mbrëmjeve në Tiranë dhe një marshim të shëmtuar natën nëpër rrugët e Tiranës, por që nuk duket për sytë e publikut.

Por i vetmi produkt politik është dorëheqja e Marjanës. Nuk ka rëndësi nëse Marjana ka qenë e mërzitur me Partinë Socialiste, ka pasur halle të veta apo thjesht i ka ngjitur protesta. Ajo ka bërë një gjest politik të nxitur nga protesta dhe është trofeu i parë politik i protestës.

Përpjekja e Berishës për ta rreshtuar në taborrin e vet duke i kërkuar të marrë dhe 12 shoqe dhe shokë e të rrëzojnë Ramën, tregon se sa e pafuqishme është opozita zyrtare kundër qeverisë, pasi gjithë shpresat i ka tek dezertimi. Berisha e bën këtë se e kupton që Marjana është produkt politik i protestës, është një trofe i saj dhe kërkon t’ia marrë atë protestës e ta vërë në funksion të hallit të tij.

Fakti që drejtuesit e protestës apo organizatorët e saj, që nuk e di kush janë ende, nuk e thërrasin Marjanën dhe ende nuk i gëzohen asaj si sukses i parë i tyre, flet shumë për komplekset e tyre dhe për faktin që nuk duan t’ia njohin vetes as suksesin e tyre.

Ndoshta Marjana nuk do të shkojë në shesh e ndoshta as ka nevojë që ata të festojnë, por fakti që më shumë dyshime ngrihen nga bulevardi se sa nga selia rozë për Marjanën, tregon shumë për stofin jo politik të udhëheqësve të protestës.

Apo më keq, për parcelizimin e protestës sipas tarafëve politikë që kanë futur hundët aty. Protesta e ka vlerën kur prodhon politikë përtej klaneve brenda saj dhe produkti i parë politik i tyre është dorëheqja e një deputeteje të shumicës në pushtet. Nuk është se kjo e rrezikon shumicën, pasi socialistët e kanë problemin me ata që afrohen, jo me ata që u ikin. Protesta ka nevojë të festojë për ata që i ofrohen.

ME TE LEXUARAT