Urdhër-arresti për tre ndërtues/ Hetimet për zyrtarët e IMT dhe IKMT për kate pa leje, një biznesmen detyrim paraqitje

Aktualitet

Urdhër-arresti për tre ndërtues/ Hetimet për zyrtarët e

Ndërsa Prokuroria vijon hetimet ndaj zyrtarëve të IMT-së dhe IKMT-së për të zbuluar se përse u lejua devijimi i një lejeje ndërtimi, duke shtuar edhe dy kate të tjera në pallatin e bllokuar pranë rrugës “Llukë Kacaj”, gjykata ka miratuar kërkesën e akuzës për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tre ndërtuesve.

Sipas njoftimit zyrtar, masat e sigurisë janë caktuar ndaj Mirsim Jellës, Ferdinand Shtëmbarit dhe Fiqiri Likës, ndërsa për Adriatik Shtëmbarin është vendosur masa “detyrim paraqitjeje”.

Prokuroria i referohet edhe një raporti të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila ka marrë në pyetje inspektorët e Policisë së Komisariatit nr. 4. Këta të fundit kanë deklaruar se nuk kishin asnjë informacion për tejkalimin e lejes së ndërtimit.

Çështja është hetuar nga prokurorja Elsa Kareçi, e cila thekson se ndërtimi kishte nisur prej vitesh dhe se nuk ka pasur asnjë reagim, pavarësisht kohëzgjatjes së punimeve në kundërshtim me lejen dhe faktit që shkeljet ishin vazhdimisht të dukshme në terren.

Siç shpjegohet në aktet e prokurorisë, të paraqitura gjatë kërkimit për masat e sigurisë, rezulton se nga strukturat përgjegjëse janë marrë vetëm masa administrative.

Sipas prokurorisë, leja ishte dhënë për ndërtimin e një pallati me 9 kate dhe dy kate nëntokë. Megjithatë, në objekt janë ndërtuar edhe dy kate shtesë.

Si prova, organi i akuzës rendit kontratat, deklarimet e dëshmitarëve dhe dokumentacionin e pagesave, ndërsa të dyshuarit kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave.

ME TE LEXUARAT