Rradhë kilometrike/ Fluks i madh automjetesh në dalje të Vlorës

Mbrëmja e kësaj të diele është shoqëruar me një fluks të madh automjetesh në dalje të qytetit të Vlorës, duke shkaktuar trafik të rënduar në bajpasin e qytetit.
Qindra automjete, me pushues vendas dhe të huaj që kishin zgjedhur Vlorën dhe bregdetin e jugut për të kaluar fundjavën, janë nisur drejt kthimit, duke krijuar radhë të gjata automjetesh.
Sipas pamjeve nga zona, kolona e mjeteve shtrihet për disa kilometra, nga Pusi i Mezinit deri në rrethrrotullimin e daljes drejt autostradës.
Temperaturat e larta dhe fundjava e ngarkuar turistike kanë sjellë një numër të konsiderueshëm vizitorësh në jug të vendit, ndërsa kthimi masiv i tyre gjatë orëve të mbrëmjes ka rënduar ndjeshëm qarkullimin në një prej akseve kryesore hyrëse dhe dalëse të Vlorës.


