Rama paralajmëron ndërtuesit abuzivë: Listë e zezë dhe penalitete të rënda, nxitoni para se të dalë vendimi

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot një paralajmërim të prerë për ndërtuesit që abuzojnë me ligjin dhe konsumatorët.
Gjatë një takimi me deputetë dhe drejtues të Bashkisë së Tiranës, ai bëri të ditur se do të miratohet një ligj për krijimin e një “liste të zezë” për investitorët problematikë në ndërtim.
Sipas Ramës, kushdo që përfundon në këtë listë, do të humbasë të drejtën për të marrë leje ndërtimi dhe do të përjashtohet nga industria.
“Po flasim për ndërtues që kanë mashtruar qytetarët, që nuk i lejojnë banorët të futen në pallate, apo që i lënë blerësit pa dokumente hipotekore,” u shpreh ai.
Rama i bëri thirrje ndërtuesve të nxitojnë të rregullojnë shkeljet para se të hyjnë në fuqi aktet ligjore, pasi masat do të jenë drastike dhe do të përballen me pasoja serioze.
“Kjo nuk është luftë ndaj ndërtimit, por ndaj abuzimit. Duam që problemi të zgjidhet, jo të thellohet,” shtoi kreu i qeverisë.


