Protesta para Kuvendit, ministri Besfort Lamallari goditet me vezë gjatë kalimit në Pedonale

Aktualitet

Protesta para Kuvendit, ministri Besfort Lamallari goditet me vezë

Një incident është regjistruar gjatë protestës së zhvilluar pranë Kuvendit, ku objekt i veprimeve të protestuesve është bërë ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Ministri po kalonte në këmbë në zonën e Pedonales, në drejtim të institucioneve shtetërore, kur disa protestues hodhën vezë në drejtim të tij.

Menjëherë pas incidentit, situata u tensionua për disa çaste. Një prej personave që shoqëronte ministrin reagoi duke ndjekur disa nga të rinjtë që morën pjesë në akt, madje duke kapërcyer edhe gardhin metalik të vendosur në zonë.

Ndërkohë, protestues të tjerë vijuan të hedhin vezë në drejtim të ministrit dhe shoqëruesve të tij, ndërsa forcat e sigurisë ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Ngjarja ndodhi në kuadër të protestës së organizuar jashtë Kuvendit, e cila gjatë ditës është shoqëruar me disa incidente dhe momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të rendit.

ME TE LEXUARAT