Policia Rrugore në aksion, mbi 4 mijë gjoba në 24 orë dhe 8 arrestime për shkelje të rënda

Aktualitet

Policia Rrugore në aksion, mbi 4 mijë gjoba në 24 orë dhe 8

Policia Rrugore ka vijuar kontrollet intensive në të gjithë vendin me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë monitoruar akset rrugore kryesore dhe zonat urbane, duke evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit që kanë shkelur rregullat e qarkullimit.

Si rezultat i kontrolleve janë vendosur 4 255 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Gjithashtu, janë arrestuar 8 drejtues automjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim pa leje drejtimi.

Gjatë monitorimeve janë konstatuar raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, parkimeve të gabuara dhe sjelljeve të tjera që rrezikojnë sigurinë rrugore. Në zonat urbane janë vendosur 1 530 masa administrative për parkime të gabuara, ndërsa automjetet e parkuara në korsitë e dedikuara dhe trotuare janë larguar me mjetet ngritëse të Policisë së Shtetit.

Në akset nacionale janë vendosur 1 331 masa për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, ndërsa janë ndëshkuar edhe drejtues për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, rripit të sigurimit, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe parakalime të gabuara.

Sipas Policisë, janë ndëshkuar gjithashtu 27 drejtues për drejtim nën efektin e alkoolit, 11 për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane, si dhe 494 drejtues për shkelje të tjera të evidentuara gjatë kontrolleve.

Për shkak të fluksit të shtuar të lëvizjeve gjatë fundjavës drejt zonave turistike dhe bregdetare, Policia Rrugore ka shtuar prezencën në terren, patrullimet në akset kombëtare dhe monitorimet me mjete inteligjente.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin shpejtësinë e lartë dhe drejtimin nën efektin e alkoolit, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

ME TE LEXUARAT