Policia kufitare shpëton dy turistët hollandezë babë e bijë në liqenin e Pogradecit

Dy turistë hollandezë, babë e bijë, janë shpëtuar pasditen e sotme nga policia kufitare në zonën e Tushemishtit, pasi kishin hasur vështirësi gjatë një lundrimi me kanoe në liqenin e Pogradecit.
Turistët kishin hyrë në ujë me mjetin lundrues por, për arsye ende të paqarta, kanë kërkuar ndihmë sapo kanë parë patrullën e policisë kufitare. Forcat policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre të sigurt nga uji.
Të dy ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë dërguar pranë hotelit ku po qëndrojnë për disa ditë pushimi në qytetin e Pogradecit.
Policia kufitare e zonës vijon monitorimin e përditshëm të liqenit me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e çdo incidenti në ujë. Ky është një tjetër rast që tregon rëndësinë e patrullimit aktiv dhe gatishmërisë së strukturave të rendit në zonat turistike gjatë sezonit veror.


