"Po tallen me ne, a ka shtet apo s’ka shtet?", Bojkoti në Gjykatën e Kukësit për pagat lë qytetarët pa shërbime

Administrata e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës ka bojkotuar sot punën, në shenjë proteste për ngërçin e krijuar lidhur me pagat në sistemin e drejtësisë. Për shkak të bojkotit, qytetarët nuk kanë mundur të marrin shërbimet administrative të zakonshme.
Një prej tyre, Ramazan Duraku, ishte paraqitur në gjykatë për të marrë një vërtetim, por është detyruar të largohet pa e marrë atë.
"Unë jam para gjykatës, kam ardhur të marr një vërtetim për vajzën por këtu nuk ta jep askush. Janë mbledhur këtu dhe thonë se kanë demonstratë por mua nuk më intereson se çfarë kanë sepse unë jam qytetar, mua më duhet vërtetimi.
Rrogat nuk i paskan marrë por smë intereson se shoh punët e mia. Se kuptoj a ka shtet a s’ka shtet. Nuk është mirë të tallen kështu me ne” tha Ramazan Duraku.
Sekretariati dhe administrata e Gjykatës së Kukësit do të vijojnë bojkotin edhe gjatë dy ditëve në vazhdim. Gjatë kësaj periudhe, shërbimet do të ofrohen vetëm për seancat gjyqësore me karakter urgjent, për masat e sigurisë dhe për urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes.
Ngërçi për pagat në sistemin e drejtësisë u krijua pas vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përcaktimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në kushtet kur Kuvendi nuk i dha zgjidhje detyrimit për ripërllogaritjen e pagave, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Bojkoti i administratës synon të tërheqë vëmendjen ndaj problematikës së pagave dhe situatës së krijuar në sistemin e drejtësisë, ndërsa qytetarët janë ata që përballen drejtpërdrejt me kufizimin e shërbimeve administrative.


