OSHEE reagon pas vdekjes së Klajdi Zekthit: Po përpiqemi të kuptojmë rrethanat e tragjedisë, po punojmë me hetuesit

Aktualitet

OSHEE reagon pas vdekjes së Klajdi Zekthit: Po përpiqemi të

32-vjeçari humbi jetën teksa po punonte për riparimin e linjës elektrike në Trojas. OSHEE thotë se po bashkëpunon me organet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes

OSHEE Group ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e sotme në fshatin Trojas, në Belsh, ku humbi jetën elektricisti 32-vjeçar Klajdi Zekthi.

Sipas njoftimit, Zekthi ishte prej 8 vitesh pjesë e strukturave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe ushtronte detyrën si punonjës i grupit operativ të OSSH Belsh.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 09:30, ndërsa ai po punonte për riparimin e një linje elektrike.

OSHEE pohon se po përpiqet të kuptojë rrethanat e tragjedisë ku humbi jetën i riu ndaj thekson se po bashkëpunon plotësisht me organet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.

“Ndarja nga jeta e Klajdit në moshë kaq të re, ndërsa ishte në krye të detyrës, është një humbje e rëndë dhe e dhimbshme për familjen, miqtë dhe kolegët e tij”, thuhet në reagim.

OSHEE Group i ka shprehur ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të Klajdi Zekthit, ndërsa ka garantuar mbështetje të plotë për zbardhjen e ngjarjes.

ME TE LEXUARAT