Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni

Pas ngjarjes së rëndë në Maliq ku humbi jetën një efektiv policie dhe u plagos një tjetër ka reaguar edhe policia.
Reagimi i policisë
Korçë/Informacion paraprak
Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit.
gjatë një operacioni për kapjen e tij.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.
Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.
Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.
Ngjarja ndodhi në fshatin Podenë, në Bashkinë Maliq, ku forcat e policisë kishin organizuar një operacion për kapjen e Violand Braçellarit, një person i shpallur në kërkim prej vitesh dhe i konsideruar nga autoritetet si me rrezikshmëri të lartë.
Si pasojë e përplasjes me armë, humbi jetën efektivi i forcave “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Enea Mekolli, ndërsa kolegu i tij, Edison Adri, mbeti i plagosur rëndë. I plagosur ka mbetur edhe vetë Braçellari, i cili dyshohet se hapi zjarr ndaj efektivëve në momentin e ndërhyrjes për arrestimin e tij.

Enea Mekolli
Sipas informacioneve paraprake, policia kishte marrë sinjalizime se personi në kërkim fshihej në zonën e Podenës. Pas lokalizimit të vendndodhjes së tij, agjentë të Policisë së Korçës dhe efektivë të forcës “Shqiponja” u angazhuan në operacionin për kapjen e tij.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave të policisë, duke shkaktuar një shkëmbim zjarri me pasoja tragjike. Nga të shtënat mbeti i vrarë Enea Mekolli, ndërsa Edison Adri u plagos dhe u transportua për ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, Braçellari është ish-ushtarak dhe njihej si person me njohuri të mira për armët e zjarrit dhe terrenin ku qëndronte. Dyshohet se prej vitesh ai jetonte i izoluar në zonën pyjore të Podenës, ku kishte ngritur një strehim në një terren të vështirë për t’u aksesuar dhe mbante edhe qen për ruajtje.
Mësohet se në operacion kanë marrë pjesë rreth 7-8 efektivë policie, një pjesë e të cilëve të veshur civilë. Dyshohet se autori ka arritur të identifikojë praninë e policisë gjatë orëve të natës, rreth orës 03:00-04:00, duke reaguar më pas me armë ndaj tyre.
Pas shkëmbimit të zjarrit, forcat e policisë kanë arritur të neutralizojnë të plagosur personin e kërkuar. Menjëherë pas ngjarjes, zona u rrethua nga forca të shumta policore, ndërsa drejtues të lartë të Policisë së Korçës mbërritën në vendngjarje për të ndjekur nga afër hetimet dhe veprimet procedurale.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit, ndërsa pritet një njoftim zyrtar me detaje të mëtejshme mbi operacionin që u kthye në një nga ngjarjet më të rënda për Policinë e Shtetit në muajt e fundit.


