Nga biznesi i fruta-perimeve te konflikti penal/ Zbardhet dëshmia e Refit Buzit dhe hetimi për mashtrim pas kthimit nga Anglia

Pas ngjarjes së rëndë ku Refit Buzi vrau ish-vjehrrit dhe më pas veten, kanë dalë në dritë detaje nga jeta e tij e re në Shqipëri dhe procedimi penal që kishte nisur ndaj tij për veprën penale “Mashtrimi”.
35-vjeçari, pasi kishte jetuar për rreth katër vjet në Angli, ishte kthyer në atdhe gjatë vitit 2024 me synimin për të nisur një jetë të re dhe një aktivitet ekonomik. Ai ishte përfshirë në fushën e import-eksportit të fruta-perimeve, duke shërbyer si ndërmjetës për të siguruar tregun e shitjes për eksportuesit shqiptarë, fillimisht pa pasur një NIPT ose licencë zyrtare.
Hyrja në bisedime dhe eksportet drejt Anglisë
Në kuadër të këtij aktiviteti, Refit Buzi kishte hyrë në bisedime me dy shtetas shqiptarë, S. H. dhe F. R., për të dërguar mallra në Angli, konkretisht te biznesi i drejtuar nga shtetasi turk B. G.
Sipas dokumentacionit hetimor, më 23.04.2024 dhe 28.04.2024 u lëshuan dy faturë shitjeje të fiskalizuara me vlerë rreth 31,872 paund dhe 32,177 paund. Nga deklarimet e palëve, rezultuan mospërputhje të forta rreth pagesave të këtyre dërgesave. Dy bashkëpunëtorët pretendonin se Buzi kishte marrë një pjesë të parave nga kompania në Enfield të Anglisë, fakt që ata e kishin mësuar përmes dëshmive indirekte.
I pyetur nga autoritetet më 27.12.2024, Refit Buzi ka dhënë shpjegimet e tij të detajuara rreth marrëveshjeve dhe problemeve të krijuara:
“Kam jetuar në Angli prej 3-4 vjetësh dhe jam kthyer pasi nuk bëra dot letrat. Me njohjet që kisha krijuar, mendova të merrja pjesë përmes firmave eksportuese të fruta-perimeve. Kontaktova me S. H. dhe i thënia se isha në gjendje të siguroja treg në Angli. Duke qenë se bëhej fjalë për një firmë serioze, kontaktova shoqërinë me administrator B. G., i cili më tha se mund të shisnin sa të donin domate. Kemi rënë dakord që pagesa të bëhej brenda 7 ditëve nga mbërritja e kamionit.”
Buzi ka shpjeguar se më 23.04.2024 u nis mjeti i parë me një kosto transporti prej 6,500 euro, ku S. H. kishte dhënë 7,000 euro për pagesën e tij. Më 28.04.2024, ngarkesa mbërriti në Angli dhe firma blerëse plotësoi dokumentin pa pretendime për çmimin apo cilësinë.
Më pas, ai dërgoi një ngarkesë të dytë përmes një shoqërie tjetër nga Lushnja. Sipas dëshmisë së tij, nga administrator turk B. G. kishte marrë vetëm pagesat e transportit dhe një pjesë të parave nëpërmjet njerëzve që kishte dërguar në Angli, në total rreth 13,400 paund.
Në dëshminë e tij, Buzi theksoi se blerësi turk filloi të nxirrte justifikime dhe refuzonte të kalonte paratë në llogarinë e S. H.:
“Kanë kaluar më shumë se një javë dhe nga B. G. nuk kanë kaluar paratë. Me të drejtë S. H. kërkonte paratë nga mua pasi i dola garant. Kemi pritur 28 ditë dhe sërish na gënjente. S. H. dërgoi njerëz të te B. G., por ai kërkonte të paguante shumë më pak nga çfarë i takonte, vetëm 9,200 paund për një ngarkesë që kapte vlerën e mbi 31,000 paund. Unë kam marrë vetëm lekët e transportit prej 13,400 paund.”
Buzi shtoi se i njëjti problem ishte shfaqur edhe me shoqërinë nga Lushnja, e cila kishte zgjedhur të ndiqte rrugën ligjore duke hapur gjyq në Angli ndaj shtetasit turk për të rimarrë detyrimet financiare. Ky konflikt i nisur nga dështimet në tregti dhe procedimet për mashtrim kishin rënduar pozitat dhe gjendjen e 35-vjeçarit para se ngjarja tragjike të ndodhte.


