Nënshkruhet marrëveshja/ Shqipëria shton 600 MW nga energjia e rinovueshme, Karakaçi: I hapet rruga 61 mln eurove

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria ka instaluar mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme deri më 30 qershor 2026.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, ai theksoi se reformat në sektorin energjetik kanë sjellë përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe kanë hapur rrugën për disbursimin e 61 milionë eurove në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të BE-së.
Prononcimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi
Puna e përditshme, me profesionalizëm dhe angazhim, e stafeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po jep rezultate konkrete dhe sot dua të ndaj me ju disa nga arritjet më të rëndësishme që kemi realizuar në kuadër të reformave në sektorin e energjisë dhe procesit të integrimit evropian, duke filluar nga data 1 janar deri më 30 qershor 2026.
Gjatë kësaj periudhe kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.
Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor.
Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian.
Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë.
Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.
Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik.
Po aq domethënës është edhe fakti që ne kishim detyrim për të instaluar 600 mega kapacitete deri më datë 30 qershor 2026, kapacitete të energjisë së rinovueshme. Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo dëshmon qartë se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme.
Përmbushja e këtyre masave nuk përbën vetëm një sukses në procesin e reformave, ajo sjell edhe përfitime të drejtpërdrejta për vendin. Miratimi i këtyre masave deri më 30 qershor 2026 i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Këto fonde do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Sigurisht, disa masa janë ende në proces, por puna për përmbushjen e tyre vijon me të njëjtin angazhim dhe vendosmëri deri në realizimin e plotë të çdo detyrimi.
Në përfundim e ndjej të rëndësishme të falënderoj të gjithë strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucionet dhe ndërmarrjet në varësi, si dhe çdo profesionist që ka kontribuar në arritjen e këtyre rezultateve. Këto janë fryt i një pune të përbashkët, të mbështetur në profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.
Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm për të përmbushur çdo reformë dhe çdo angazhim, duke ndërtuar një sektor energjetik më modern, më të qëndrueshëm dhe duke e afruar çdo ditë e më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian


