Ministria e Mbrojtjes: 22 vatra zjarri në 24 orë, 11 ende aktive dhe situatë kritike në disa zona

Ministria e Mbrojtjes raporton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 22 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, nga të cilat 11 vijojnë të jenë ende aktive dhe njëra ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm. Zjarret janë shfaqur në zona të ndryshme, përfshirë Dibrën, Matin, Vlorën, Elbasanin, Kurbinin, Lezhën, Devollin, Korçën, Pustecin, Pogradecin, Gjirokastrën, Përmetin, Fierin, Beratin, Tiranën, Dimalin, Malësinë e Madhe dhe Kukësin.
Ndër vatrat më problematike mbeten ato në Parkun Kombëtar Lurë, ku zjarri po vazhdon në tre pika kryesore me intensitet të ulët gjatë natës, si dhe në zonën e Ulëzit dhe Zall Gjoçaj në Mat, ku terreni i thyer po e bën të vështirë shuarjen e flakëve. Në Vlorë, situata mbetet kritike në Maja e Pliskës, ku flakët përfshijnë pyjet me pisha dhe shkurre, ndërsa forcat operacionale dhe ushtarake janë të angazhuara për ndërhyrje intensive.
Në Lezhë dhe Devoll vijon puna për shuarjen e zjarreve në sipërfaqe pyjore, ndërsa në Kukës zjarri në malin Sukë po rrezikon banesat në fshatin Mamëz. Një vatër tjetër në Bulqizë ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm, pas rikthimit të flakëve në zonën e Livadhit të Peladhisë.
Si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 17 hektarë pyje dhe bimësi të ndryshme. Për shuarjen e tyre janë angazhuar 635 forca operacionale, 36 automjete zjarrfikëse, si dhe forca ushtarake me 2 helikopterë dhe avionë nga Greqia dhe Italia. Kushtet atmosferike të thatë dhe era e fortë rrisin rrezikun e përhapjes së zjarreve, duke bërë që niveli i rrezikut të jetë i lartë në shumicën e qarqeve.
Ministria e Mbrojtjes bën thirrje për kujdes maksimal dhe kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të raportuar menjëherë çdo zjarr të dyshimtë pranë autoriteteve përkatëse, në mënyrë që të parandalohet përhapja më e madhe e zjarreve dhe dëmet që ato shkaktojnë.


