Lushnje! Humb jetën 37-vjeçari, “Benzi” e përplas dhe e merr zvarrë teksa lëvizte me biçikletë
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Lushnjë. Aksidenti ka ndodhur në aksin Lushnjë–Rrogozhinë, pranë vendit të quajtur Ura e Rrogozhinës. Viktimë e këtij aksidenti ka mbetur shtetasi Taulant Veliu, 37 vjeç, i cili po udhëtonte me biçikletë në krahun e kundërt të lëvizjes.
Sipas hetimeve dhe dëshmive të marra në vendngjarje, personi me biçikletë në fillim është përplasur me pasqyrën e njërit nga mjetet, ku si pasojë është spostuar në mes të rrugës, ku po kalonte një tjetër mjet tip “Benz”, ku ky i fundit e ka marrë zvarrë për disa metra, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje. Policia e Lushnjës shoqëroi dy drejtuesit e mjeteve për hetime të mëtejshme.
Lushnjë
Më datë 20.06.2026, rreth orës 23:30, në aksin rrugor “Lushnjë–Tiranë”, shtetasi T. V., 37 vjeç, duke udhëtuar me biçikletë, dyshohet se është aksidentuar nga një automjet me drejtues shtetasin B. M., 41 vjeç, dhe më pas dyshohet se është përplasur edhe nga një automjet tjetër me drejtues shtetasin F. M., 39 vjeç.
Si pasojë e aksidentit rrugor, shtetasi T. V. ka humbur jetën në vendngjarje.
Shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat dy drejtuesit e automjeteve, për kryerjen e veprimeve procedurale të nevojshme, të cilët, në përfundim të veprimeve të para hetimore, janë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon kryerjen e veprimeve hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.