Kujt ia kanë vënë syrin tatimet në Vlorë? Konstatohen 39 shkelje, çfarë pritet të ndodhë në vijim?

Administrata Tatimore ka nisur një kontroll të imtësishëm të bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit. Verifikimet janë përqendruar në qarkun e Vlorës, ku ka edhe një përqendrim më të lartë të subjekteve në këtë sektor.
Kontrollet e bëra në biznese janë realizuar duke i përzgjedhur bizneset me bazë risku. Ndërkohë që nga kontrollet në terren janë vërejtur 39 shkelje tatimore.
Administrata Tatimore ka konstatuar një sërë shkeljesh, siç janë moslëshimi i faturës tatimore, moslëshimi i autofaturës, mallra pa faturë tatimore, mosafishimi i çmimeve dhe punonjës të padeklaruar.
Task Forca e tatimeve ka sekuestruar gjithashtu 8 pajisje kompjuterike dhe një regjistër hoteli, të cilat do t’u nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme nga strukturat përkatëse të Administratës Tatimore. Kjo nismë ka ardhur në kuadër të Planit Sektorial të Turizmit 2026, pas një faze dymujore të informimit dhe ftesave për vetëkorrigjim.
Sipas Administratës Tatimore, kontrollet synojnë respektimin e detyrimeve tatimore dhe formalizimin e aktivitetit ekonomik, veçanërisht në sektorin e turizmit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet e informalitetit dhe evazionit fiskal përmes aplikacionit “Denonco Evazionin”, duke theksuar se çdo denoncim ndihmon në rritjen e formalizimit të ekonomisë.
Këto kontrolle vijnë njëkohësisht me disa nisma për monitorimin dhe kontrollin e tregut, siç është “Price Watch Albania”, e cila synon më shumë transparencë për çmimet e produkteve ushqimore bazë.
Me anë të kësaj platforme, e cila pritet të lançohet së shpejti, qytetarët do të mund të shohin çmimin e një produkti në biznese të ndryshme dhe të zgjedhin se ku mund ta blejnë atë me një çmim më të favorshëm.


