Babai në burg për “dhunë në familje”, e mitura e varur nga kokaina dhunon familjarët – historia e trishtë e korçares

Aktualitet

Babai në burg për “dhunë në familje”, e mitura e

Një ngjarje e rëndë është zbuluar së fundmi në qytetin e Korçës ku bëhet me dije se një e mitur e varur nga droga, ka një sjellje të ashpër ndaj familjarëve të saj. Madje shpesh herë e mitura eskalon në dhunë fizike ndaj prindërve dhe gjyshërve të saj, të cilët e kanë rritur, pasi babai i të 17-vjeçares ndodhet prapa hekurave për “dhunë në familje”.

Shenjat e para mësohet se e mitura i ka shfaqur që në moshën 14 vjeçare, të cilat nga viti në vit kanë marrë përmasa të tjera, derisa pas tre vitesh ajo degradoi deri në dhunimin e prindërve.

Duke folur në një intervistë të dhënë për emisionin “Stop”, mamaja e të miturës shprehet se pasi vajza zuri një shoqëri të keqe është përballur me situata të rënda, që i kanë lënë asaj pasoja psikologjike të dukshme dhe sot.

“Në moshën 13 vjeçare bija ime denoncoi një djalë që e akuzonte se kishte kryer marrëdhënie me forcë me të” shprehet mamaja e të miturës në prononcimin e dhënë  për emisionin “Stop” në Tv.Klan.

Djali i cili dyshohet të ketë kryer marrëdhënie me të thuhet se kishte të njëjtën moshë me vajzën, tani ndodhet në burgun e të miturve në Kavajë. Pas kësaj ngjarje vajza nuk ndihej mirë, e teksa vitet kalojnë e mitura thuhet se ka shfaqur shumë probleme psikologjike. Madje disa herë ajo ka përfunduar në Polici pasi ka rrahur shoqet e saj.

“Vajza shpesh ka dhunuar prindërit e mi të cilët e mbanin. Ju kërkonte edhe lekë sepse ishte përdoruese e kokainës. Nga mentaliteti i tyre prindërit e mi kanë zgjedhur që të mos e denonconin, ndërkohë që vajza vazhdonte t’i dhunonte sërish” thotë mamaja e 17-vjeçares.

“Kemi tentuar ta kurojmë, herën e fundit që ishim në urgjencë, vajza tentoi të priste damarët. Ajo nuk pranon të kurohet. Së fundmi vajza nuk më erdhi natën në shtëpi, erdhi herët në mëngjes dhe kur e takova u tregua e dhunshme. Më kapi për flokësh, më nxori jashtë. E dërguan në Komisariat dhe e lëshuan. Kallëzim për në burg thashë se nuk bëj, por dua të ndihmoj vajzën time me një psikologe dhe një qendër rehabilitimi” shton më tej mamaja e vajzës.

Ndërkohë përmes një kamere të fshehtë, në një takim të zhvilluar me gazetarin e “Stop” e mitura shfaqet agresive ndërsa shprehet se do të marrë vendimin për t’u larguar nga shtëpia e saj me pretendimin se nuk i duron dot sjelljet e mamasë së saj dhe gjyshërve të cilët e kanë rritur.

“Unë do të marr një shtëpi me qira. Do të punoj. Me këta nuk rri dot, ajo të ngre nervat. Kemi zënka, kemi sherre. Unë nuk rri dot më këtu. Kam 5 ditë që nuk vij në shtëpi vetëm nga këta, se nuk dinë të sillen me fëmijë” shprehet e mitura.

E pyetur se ku ka qëndruar në këto pesë ditë, 17-vjeçarja shprehet se ka qëndruar në banesën e një shoqeje. Ndërsa e pranon haptazi se është konsumuese e rregullt e drogës.

“Po e pi, e pranoj dhe vetë. Vetëm nga ajo aty e kam nisur. Drogën e marr nga një shoqëri, nuk i them emrat por e marr. Ndihem më mirë, më qetëson. Kur nuk e marr fle gjumë” shton më tej e mitura.

Ndryshe nga seç u shpreh e ëma, e mitura në momentin që pyetet për të marrë kurë në Tiranë shprehet e gatshme: Unë këtë dua! Vij direkt. Nuk dua të rri me këta. Nuk e di ti çfarë do të thotë të rritesh pa dashurinë e prindërve. Në përmbyllje të reagimit të saj të irrituar, 17-vjeçarja shprehet e bindur se nuk do ta lërë kurrë drogën./Tv Klan 

ME TE LEXUARAT