Korrupsion dhe shpërdorim detyre/ Safet Gjici 'humb betejën' në Kushtetuese, rrëzohet kërkesa për pafajësi

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimin e ish-kryebashkiakut të Kukës, Safet Gjici, i cili kërkonte shpalljen e tij të pafajshëm për veprat penale “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”.
Gjici kishte kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm të 24 qershorit 2024 dhe pafajësi të plotë, duke pretenduar se nuk kishte favorizuar askënd gjatë ushtrimit të detyrës.
Ish-kryebashkiaku është dënuar më herët me 4 vite e 6 muaj burg për aferën e ndodhur në zyrën e Bashkisë Kukës.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 3 vite burg.
Më 19 maj 2025, Safet Gjici u lirua nga qelia për arsye shëndetësore dhe aktualisht po vuan pjesën e mbetur të dënimit në masën “arrest në shtëpi”.
Ai ka qëndruar në burg për rreth 23 muaj.


