“Kaos” te Tatimet, sistemi nuk fiskalizon faturat prej një jave, bizneset përballen me bllokim

Aktualitet

“Kaos” te Tatimet, sistemi nuk fiskalizon faturat prej një

Sistemi elektronik i Tatimeve po përballet me një problem të rëndë teknik, ku mijëra fatura të lëshuara nga bizneset dhe të pranuara nga vetë platforma po mbeten të pafiskalizuara. Kjo situatë e bën të pamundur shlyerjen e faturave nga bizneset pritëse, duke krijuar bllokim në aktivitetin e tyre të përditshëm.

Sipas burimeve brenda kompanisë për “Kapitali.al”, sistemi ka më shumë se një javë që nuk sinkronizohet, çka ka sjellë dështimin e procesit të fiskalizimit.

Aktualisht, ky sistem po menaxhohet nga “Albanian Digital Solution”, kompania shtetërore e krijuar nga AKSHI me qëllim marrjen në dorëzim të sistemeve kompjuterike shtetërore të cilave u kanë përfunduar kontratat me subjektet private.

Platforma e fiskalizimit mirëmbahej më parë nga kompania private “Primus Adriatic”. Ndonëse AKSHI hapi gjatë vitit të kaluar tenderin për mirëmbajtjen e sistemit për katër vitet e ardhshme, procedura u bllokua pas hetimit të SPAK-ut për AKSHI-n dhe nuk është realizuar ende.

Pas këtij skandali, qeveria ka pezulluar praktikisht çdo tender në fushën e teknologjisë së informacionit. Kjo ka bërë që kontratat me kompanitë private të skadojnë dhe mirëmbajtja t’i kalojë kompanisë shtetërore, ndërsa mjaft platforma publike po shfaqin defekte të përsëritura teknike.

ME TE LEXUARAT