I dënuari me burgim të përjetshëm transferohet nga burgu i Peqinit në atë të Burrelit, i gjendet drogë pas kontrollit në qeli

Një i dënuar me burgim të përjetshëm është transferuar nga IEVP Peqin në IEVP Burrel për arsye sigurie, ndërsa gjatë kontrollit në momentin e pranimit i është gjetur një sasi e dyshuar lënde narkotike.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, transferimi i të dënuarit me iniciale M.P. u krye pas informacioneve paraprake të siguruara në rrugë operative nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), me urdhër të drejtorit Adriatik Kupi.
Gjatë kontrollit të imtësishëm në ambientet e IEVP Burrel, autoritetet zbuluan një qese të vogël të dyshuar si lëndë narkotike, e fshehur në një çorape mes sendeve personale të të dënuarit.
Menjëherë pas konstatimit janë njoftuar strukturat përkatëse dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë materialin për ekspertizë. Rasti po ndiqet sipas procedurave ligjore në fuqi.
Drejtoria e Burgjeve thekson se mbetet e angazhuar për të luftuar çdo paligjshmëri brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.


