I dënuar për vrasjen e dy basketbollistëve, sot drejt lirisë, kush është Damiano Toshi?

Damiano Toshi, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Korçë dhe i cilësuar nga policia, si anëtar i grupit të “5 dyqaneve”, është i lidhur me një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në Korçë në fillim të viteve 2000.
Toshi u shpall fajtor për vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit “Skënderbeu”, Sokol Jahollari dhe Rafael Rizani, si edhe për plagosjen e Julian Beckës. Ngjarja ndodhi më 3 shtator 2004, pranë Pallatit të Sportit në Korçë, pas një konflikti të armatosur që tronditi opinionin publik dhe komunitetin sportiv.
Për këtë ngjarje, ai u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm. Megjithatë, pas shqyrtimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, vendimi u prish dhe dosja u kthye për rigjykim. Në përfundim të procesit të ri gjyqësor, Gjykata e Elbasanit pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe e dënoi Damiano Toshin me 25 vite burg. Toshi u ekstradua më 10 korrik 2027 nga Frankfurti.
Me një vendim të vitit 2005, ai u dënua nga Gjykata e Korcës me burgim të përjetshëm, ndërsa në mars 2022 nisi gjykimi nga e para në gjykatën e Elbasanit. Emri i tij u rikthye në vëmendje edhe në vitin 2021, kur prokuroria hetoi vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi.
Sipas hetimeve, vëllai i tij, Mihal (Mirgert) Toshi, dyshohet se e kreu atë vrasje pasi i ishte premtuar se, në këmbim, do të ndihmohej Damiano Toshi për të shmangur ose lehtësuar dënimin.


