I zhdukur prej 48 orësh, 58-vjeçari nga Kuçova zbulohet pa jetë në thellësi të një shpelle (EMRI)

58-vjeçari Gramoz Grymshi, i cili ishte larguar nga banesa prej dy ditësh dhe ishte denoncuar i humbur nga familjarët, është gjetur i pajetë brenda një guve në fshatin Drizë, në bashkinë e Kuçovës.
Sipas të dhënave paraprake, familjarët kishin kërkuar ndihmën e policisë pasi ai ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më. Ata kanë bërë me dije se prej disa muajsh 58-vjeçari shfaqte probleme të shëndetit mendor.
Pas informacioneve të marra nga banorët e zonës, të cilët e kishin parë të hynte në guvë, forcat e policisë përqendruan kërkimet në atë zonë. Pas disa orësh kërkime, trupi i pajetë i Gramoz Grymshit u gjet në brendësi të guvës.



Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës. Dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mungesës së oksigjenit në ambientin e mbyllur të guvës.
Trupi i 58-vjeçarit është transportuar në Morgun e Spitalit Rajonal Berat, ku do t'i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Policia vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


