Ilir Meta ankimon në gjykatë vendimin e Prokurorisë së Tiranës për mbylljen e hetimeve ndaj punonjësve të 313-ës

Ish-presidenti Ilir Meta ka ankimuar në Gjykatën e Tiranës vendimin e Prokurorisë së kryeqytetit për të mos nisur procedim penal ndaj punonjësve të paraburgimit 313.
Meta ka kundërshtuar vendimin e prokurorisë për mbylljen e verifikimeve lidhur me kallëzimin e tij për shpërdorim detyre ndaj punonjësve të institucionit të vuajtjes së dënimit, për mënyrën e trajtimit të tij dhe pengimin e komunikimit gjatë qëndrimit në paraburgim.
Pas verifikimeve të kryera, Prokuroria e Tiranës vendosi të mos vendosë nën përgjegjësi penale asnjë prej punonjësve të kallëzuar.
Në ankesën e depozituar në gjykatë, Ilir Meta kërkon që kjo e fundit të urdhërojë prokurorinë për të vijuar hetimet dhe për të kryer veprime të mëtejshme hetimore lidhur me pretendimet e tij.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Vjollca Sahiu, e cila pritet të japë vendimin nëse do të pranojë kërkesën e ish-presidentit apo do të lërë në fuqi vendimin e Prokurorisë së Tiranës.


