Atentati në Sarandë – Zbardhet e kaluara kriminale e Thimjo Rubatit! Trafik minorenësh, rrëmbim dhe skeda në Greqi

Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga atentati me armë zjarri që tronditi mbrëmjen e djeshme qytetin bregdetar të Sarandës. Shënjestra e këtij sulmi, 50-vjeçari Thimjo Rubati, rezulton të jetë një personazh me një skedë të pasur kriminale dhe i njohur prej vitesh nga drejtësia, si ajo shqiptare ashtu edhe ajo greke.
Grupi hetimor ka zbardhur të kaluarën e 50-vjeçarit, i cili vetëm vitet e fundit kishte lënë qelinë e një burgu në shtetin fqinj, Greqi, ku vuante dënimin i akuzuar për një ngjarje mjaft të rëndë penale.
Gjatë kohës që Rubati ndodhej i izoluar në burgun grek, autoritetet shqiptare e kërkonin atë zyrtarisht për llogari të një dosjeje voluminoze korrupsioni dhe kontrabande. Ai ishte i përfshirë në një skemë të fuqishme të trafikimit dhe kontrabandimit të makinave, ku implikoheshin edhe zyrtarë doganorë.
Megjithatë, sapo la qelinë në Greqi dhe u përball me drejtësinë shqiptare, Rubati arriti t’i shpëtonte burgut në vendlindje. Gjykata e Apelit e dënoi atë me kusht, duke bërë që ai të mos kryente asnjë ditë burg në Shqiperi për këtë aferë.
E kaluara e Thimjo Rubatit daton që prej fillimit të viteve 2000 me vepra të rënda penale kundër personit.
Në vitin 2002 ai është arrestuar nga policia i akuzuar për trafikim të të miturve, ndërsa në vitin 2012 është vënë sërish në pranga, i akuzuar për rrëmbimin e një vajze të mitur, vetëm 16 vjeçe.
Dinamika e atentatit të mbrëmjes së djeshme tregon se autorët kanë qenë të vendosur për ta eliminuar 50-vjeçarin. Nga ekspertiza paraprake në vendin e ngjarjes, policia ka bërë me dije se ndaj Rubatit është qëlluar me pistoletë të kalibrit 9 mm.
Ekspertët e krimeve kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 9 gëzhoja në vendin ku ndodhi sulmi. Ndërkohë, po verifikohen të gjitha pistat e mundshme, ku primare mbeten larjet e hesapeve për shkak të së kaluarës së tij të trazuar kriminale.


