Sulm me dronë 800 km larg kufirit, Ukraina i shkatërron Rusisë bombarduesin strategjik me vlerë 26 mln dollarë

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka njoftuar se ka ndërmarrë një sulm të suksesshëm me dronë me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus, duke shënjestruar një bazë ajrore në rajonin e Saratovit, qindra kilometra larg vijës së frontit. Objektiv i këtij operacioni ka qenë një bombardues strategjik rus Tu-95, i cili ka pësuar dëmtime kritike.
Sipas të dhënave të bëra publike nga SBU, dronët ukrainas kanë përshkuar një distancë prej rreth 800 kilometrash për të arritur te objektivi. Nga goditja, raportohet se pjesa e pasme e avionit luftarak është dëmtuar rëndë.
Bombarduesi Tu-95 konsiderohet si një nga kolonat vertebrore të aviacionit strategjik të Moskës. Rusia e ka përdorur rregullisht këtë lloj avioni gjatë agresionit në Ukrainë për të lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi drejt qyteteve dhe infrastrukturës kritike ukrainase.
Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai e ka përshëndetur operacionin e SBU-së, duke e cilësuar si një tjetër goditje të rëndësishme me rreze të gjatë ndaj kapaciteteve ushtarake të Rusisë.
Ky sulm vjen në kuadër të strategjisë së intensifikuar të Kievit për të goditur objektivat ushtarake ruse larg kufirit, me qëllim gjymtimin e logjistikës dhe fuqisë ajrore të armikut. Edhe në operacione të mëparshme, Ukraina ka pretenduar se ka dëmtuar ose shkatërruar disa avionë ushtarakë rusë përmes përdorimit efikas të dronëve.


