Atentati në Lezhë/ Ekspertët e policisë rikthehen në vendngjarje për hetime! Plumbat prekën dhe bizneset e tjerë...

Ekspertët e policisë janë rikthyer sërish paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrilë të Lezhës, pranë vendit ku ndodhi atentati me armë zjarri mbrëmjen e së dielës ku i plagosur ka mbetur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes ku ka ndodhur ngjarja. , për të kryer hetime të mëtejshme.
Ata po mbledhin gjurmët e gjakut nga vendi i ngjarjes, ku do të bëhet analiza e ADN-së për të verifikuar nëse ka një person tjetër të plagosur, si dhe për të përcaktuar identitetin e tij.
Nga të shtënat e kryera, katër plumbat kanë prekur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanes, por fatmirësisht, personat që ndodheshin brenda këtyre bizneseve kanë shpëtuar pa pasoja.
Hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet po përpiqen të sigurojnë prova për të zbuluar autorët dhe motivin e mundshëm të sulmit.
Çfarë ndodhi?
Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Lezhë, në zonën e njohur si kryqëzimi i Rrilës. I plagosur ka mbetur 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes ku ka ndodhur ngjarja. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ka qenë objektivi i atentatit, por është goditur aksidentalisht nga plumbat teksa ndodhej brenda ambientit të punës së tij, ku bashkë me të ndodheshin edhe persona të tjerë brenda në berberhane.
Burime policore bëjnë me dije se autorët kanë mbërritur me një automjet tip Audi A3 përballë berberhanes. Tre persona kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt berberhanes, ku dyshohet se ndodhej objektivi i atentatit, një person tjetër që ishte brenda në atë moment.
Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë zjarri, ndërsa personi që ishte shënjestër e atentatit është larguar.
Ndërkohë i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar. Ai ka marrë tre plagë, në shpatull, në bark dhe në këmbë.


