Atentati ndaj Agron Pukës para shkollës në Lezhë, pushohet çështja penale ndaj tre të dyshuarve

Gjykata e Lezhës ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj tre personave të dyshuar për përplasjen me armë zjarri në fshatin Rrilë, ku mbeti i plagosur Agron Puka.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Lirim Bulica, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Lezhës për pushimin e procedimit penal ndaj Vinçens Tukut, Kevin Ndokës dhe Amarildo Kola, për shkak të mungesës së provave.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 6 marsit 2024, pranë shkollës 9-vjeçare në Rrilë. Gjatë përplasjes me armë zjarri, Agron Puka mbeti i plagosur.
Tre personat ishin proceduar penalisht dhe shpallur në kërkim, ndërsa Prokuroria e Lezhës kishte ngritur ndaj tyre akuzat për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Pas hetimeve, Prokuroria ka vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vijuar procedimin penal, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Lezhës.


