I mori jetën shokut/ Armand Shakaj ende në arrati, si u fsheh në Elbasan duke ndryshuar pamjen

Zbardhen detaje të reja nga dinamika e arratisë së Armand Shakajt, i cili akuzohet për vrasjen e mikut të tij, Eglant Koçi.
Mësohet se pas krimit, Shakaj është strehuar për 10 ditë në qarkun e Elbasanit, duke ndërmarrë masa të sofistikuara për të shmangur identifikimin nga policia. Për të mos u pikasur, autori ka ndryshuar pamjen e tij të jashtme dhe ka ndjekur një strategji të lëvizjes së kufizuar. Ai dyshohet se ka qëndruar në hotele dhe apartamente me qira ditore në zona si Peqini dhe Cërriku, ndërsa për zhvendosjet e tij ka përdorur ekskluzivisht shërbimin taksi, duke shmangur përdorimin e mjeteve personale.
Në rastet kur i është kërkuar identifikimi, ai ka paraqitur dokumente të falsifikuara. Ndonëse hetuesit arritën të binin në gjurmët e tij përmes sinjalit të celularit, Shakaj ka arritur të humbasë gjurmët pak përpara operacioneve të policisë për kapjen e tij. Aktualisht, autori vijon të jetë në arrati, ndërsa autoritetet kanë dyshime të forta se ai gëzon mbështetjen e personave të afërt, me të cilët mban kontakte të vazhdueshme. Armand Shakaj vrau mikun e tij Eglant Koçi më 4 qershor dhe më pas tentoi të fshehë krimin duke hedhur trupin në një zonë të thepisur, në majën e Korrës në fshatin Cerrujë, në një lartësi prej 1450 metrash. Kufoma e viktimës u gjet nga policia pas dy javësh kërkime intensive.


