Hetimet e SPAK dhe rivlerësimi i pronave ulin kërkesën dhe çmimet e apartamenteve në Tiranë

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë po përballet me një rënie të kërkesës për blerje apartamentesh, një trend ky i ndikuar si nga hetimet e intensifikuara të SPAK, ashtu edhe nga papërballueshmëria e çmimeve për familjet e reja.
Sipas agjentëve imobiliarë, sekuestrimet e shumta të pronave luksoze dhe goditja e burimeve të parasë informale kanë frenuar blerjet nga zyrtarët e administratës dhe grupet kriminale.
Në të njëjtën kohë, hendeku i madh mes të ardhurave të qytetarëve dhe çmimeve të larta, si dhe mungesa e ofertës për prona nën vlerën e 200 mijë eurove, ka kufizuar ndjeshëm blerësit që kërkojnë të zgjidhin çështjen e strehimit.
Kjo ulje e kërkesës ka nisur të reflektohet edhe në uljen e lehtë të çmimeve të shitjes, ku disa njësi në kullat e kryeqytetit po ofrohen me ulje promocionale, ndërsa të dhënat e indeksit "Keydata Albania" tregojnë një rënie prej 1.2% të çmimit mesatar të apartamenteve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke zbritur në 2,116 euro për metër katror.
Ekspertët e tregut sqarojnë se përveç goditjes së parasë informale nga drejtësia, një faktor kyç në fleksibilitetin e çmimeve ka qenë edhe nisja e procesit të rivlerësimit të pronave me tatim të reduktuar në 5%, çka u ka dhënë mundësi shitësve të negociojnë ulje më të mëdha për transaksione të shpejta.


