Gjykata liron ish-oficerin e Policisë së Sarandës, Irakli Koçiaj

Gjykata e Sarandës ka vendosur të lërë në liri ish-oficerin e Policisë së Komisariatit të Sarandës, Irakli Koçiaj, duke i caktuar masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Koçiaj është i vetmi nga ish-efektivët e arrestuar në kuadër të hetimeve për favorizimin e ndërtimeve pa leje në Ksamil që do të hetohet në gjendje të lirë. Ende nuk janë bërë publike arsyet që kanë çuar gjykatën në ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Ish-oficeri u vetëdorëzua dy ditë më parë, pasi ndaj tij ishte caktuar në mungesë, më 25 maj, masa e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ai dyshohet se ka pasur rol në favorizimin e ndërtimeve pa leje në zonën e Ksamilit.
Hetimi është iniciuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa deri tani janë arrestuar tetë ish-efektivë të Komisariatit të Sarandës.
Mes tyre ndodhen në masën “arrest në burg” ish-shefi i Komisariatit, Gëzim Bashllari, dhe ish-specialisti i zonës, Robert Çulli. Ndërkohë, pesë ish-oficerë dhe specialistë të tjerë – Blerim Tafçiu, Andi Duro, Ajdin Islamaj, Kastriot Satka dhe Kristofor Shkrepa – po hetohen nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se mbrëmjen e së enjtes është ushtruar kontroll në banesën e ish-oficerit Ajdin Islamaj. Gjatë kontrollit, me vendim të Prokurorisë, janë sekuestruar telefonat celularë të tij.
Sipas të njëjtave burime, në momentin e ndalimit nga AMP, Islamaj kishte deklaruar se nuk dispononte telefona celularë. Deri më tani nuk është bërë i ditur qëllimi i kontrollit të fundit apo rëndësia e materialeve të sekuestruara për ecurinë e hetimeve.
Pritet që në ditët në vijim gjykata të rivlerësojë masat e sigurisë për disa nga të arrestuarit, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë.