EMRI/ I shpallur në kërkim nga Spanja, arrestohet në Lezhë 45-vjeçari i akuzuar për vjedhje me armë

Një 45-vjeçar është arrestuar nga policia e Lezhës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.
Në pranga u vu Ardit Isufi, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje me armë në Spanjë. Ai u ndalua teksa lëvizte me automjet pranë rrethrrotullimit të Shëngjinit dhe pritet të ekstradohet drejt shtetit spanjoll.
Sipas policisë, në vitin 2025, autoritetet gjyqësore në Spanjë i kanë caktuar këtij 45-vjeçarit Ardit Isufi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me armë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Po ashtu nga verifikimet rezultoi se 45-vjeçari drejtonte automjetin tip “Benz”, me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar.
Njoftimi i policisë:
DVP Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Aksi”, për kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht.
Kapet pjesëtari i një grupi kriminal që akuzohet se ka kryer vjedhje me armë, në Spanjë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pronës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, si rezultat i sigurimit të informacionit në rrugë operative, mbi vendndodhjen e shtetasit të kërkuar për llogari të Spanjës, dhe shkëmbimit të këtyre informacioneve, me Interpol Madridin, nëpërmjet Interpol Tiranës, finalizuan operacionin e koduar “Aksi”.
Në kuadër të operacionit, u kap teksa lëvizte me automjet, te rrethrrotullimi i Shëngjinit, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi A. I., 45 vjeç.
Në vitin 2025, autoritetet gjyqësore në Spanjë i kanë caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me armë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 45-vjeçari drejtonte automjetin tip “Benz”, me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Benz” dhe dokumenti i dyshuar i falsifikuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme. Ndërkaq, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit A. I., në Spanjë.


