Emigrimi po boshatis vendin! OKB ngre alarmin: Shqipëria mes vendeve me rënien më të madhe të rinisë në botë

Shqipëria ka hyrë në një periudhë të ashpër të zhvillimeve demografike, duke u renditur në katër vendet e para në botë sa i takon tkurrjes së numrit të të rinjve, së paku deri në vitin 2050.
Situata alarmante u pasqyra në një dokument të fundit për të rinjtë nga Divizioni i Popullsisë në Kombet e Bashkuara, në të cilin thuhet se Shqipëria pritet të humbasë pothuajse 43% të grupmoshës 15-24 vjeç nga 2025-2050.
Në vitin 2000, Shqipëria numëronte mbi gjysmë milion të rinj (544 mijë), ndërsa pas dy dekadash e gjysmë, kjo shifër do të arrijë në vetëm 195 mijë, duke vënë në dilemë ekzistencën ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Kombet e Bashkuara vërejnë se në 225 vende të botës, Shqipëria klasifikohet e treta pas Kinës dhe Ukrainës për tkurrjen e numrit të të rinjve në tri dekadat në vijim.
Krahasimi global e nxjerr Shqipërinë në një pozitë më të rëndë se edhe Japonia apo Italia, simbolet botërore të plakjes. Ndërsa Japonia po humbet vetëm 28% të rinisë së saj, Shqipëria po e bën këtë me një ritëm pothuajse dy herë më të shpejtë, duke djegur etapa demografike që kombeve të tjera u kanë marrë shekuj, sipas të dhënave OKB-së.
Përkeqësimi bëhet edhe më agresiv për shkak se të rinjtë do të bëhen një grup shumë i vogël në raport me popullsinë totale. Në vitin 2000, Shqipëria kryesonte Europën për popullsinë e re në moshë, ku 15-24-vjeçarët zinin 17.2% të popullsisë totale.
Në vitin 2025, ata zunë vetëm 13,6%, ndërsa në vitin 2050 pritet të jenë vetëm 11.3%, sipas projeksioneve të OKB-së. Kjo rënie e vendos Shqipërinë në zonën e kuqe të vendeve që po konsumojnë të ardhmen përpara se ajo të mbërrijë.



