U ekstradua nga Dubai, si e zbuluan përgjimet në SKY Denis Brajoviç për vrasjen e Gjin Ndojit

Aktualitet

U ekstradua nga Dubai, si e zbuluan përgjimet në SKY Denis

Denis Brajoviç, një nga emrat më të përfolur në botën e krimit në Shqipëri, do të ekstradohet sot nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një vit pas arrestimit të tij në Dubai. Ai është i akuzuar për ekzekutimin e Gjin Ndojit më 9 gusht 2020 dhe rezulton person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Brajoviç u identifikua si autor falë përgjimeve të operacionit ndërkombëtar “Metamorfoza”, që goditi krimin e organizuar dhe zbuloi komunikimet e kriminelëve shqiptarë përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”.

Në biseda të transkriptuara, Brajoviç shfaqet duke komunikuar me emra të njohur si Ervis Martinaj dhe Behar Bajri, vetëm pak kohë pas vrasjes. Me Bajrin, ai rrëfen se gjatë atentatit arma iu bllokua, pasi kishte për qëllim t’i “grinte kokën” viktimës – sipas tij, për një fjalë që Gjin Ndoji i kishte thënë para se ta qëllonte.

Nga ana tjetër, Martinaj e pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse atentati kishte marrë jehonë mediatike, duke konfirmuar në mënyrë indirekte dijeninë dhe interesin për aktin kriminal.

Ekstradimi i Brajoviç është pjesë e vazhdimit të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, që ka goditur disa eksponentë të rrezikshëm shqiptarë në arrati në Emiratet e Bashkuara dhe vende të tjera. Ai pritet të mbërrijë në Shqipëri gjatë ditës së sotme, ku do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes me paramendim dhe përfshirje në grup kriminal.

ME TE LEXUARAT