E moshuara bie nga autobusi/ Transportohet në spital, në gjendje të rëndë. Ambulanca mbërrin me vonesë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në zonën e “Ujit të Ftohtë”, në Lungomaren e Vlorës, ku një grua e moshuar ka mbetur e plagosur rëndë pasi ka rënë nga autobusi i transportit publik.
Sipas informacioneve paraprake, e moshuara ishte duke zbritur nga autobusi i linjës, kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga shkallët e mjetit, duke u përplasur me forcë në betonin e shëtitores.
Si pasojë e rrëzimit, ajo ka pësuar lëndime në fytyrë, kokë dhe gjymtyrë. Qytetarët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes kanë njoftuar menjëherë policinë dhe shërbimin e urgjencës.
Sipas dëshmitarëve, ambulanca ka mbërritur me vonesë në vendngjarje. Më pas, e moshuara është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se ajo ndodhet në gjendje të rëndë.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.


