Dukati në flakë prej 10 ditësh, pritet ndërhyrje sërish nga ajri

Zjarri në malin e Dukatit, në Vlorë, vijon të përhapet me intensitet të lartë prej më shumë se 10 ditësh, duke vënë në alarm autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës. Flakët janë afruar rrezikshëm pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë – një nga zonat më të mbrojtura dhe atraktive të bregdetit jugor shqiptar.
Pavarësisht përpjekjeve intensive nga toka dhe ajri, situata mbetet kritike. Deri më tani janë angazhuar edhe dy avionë zjarrfikës nga Greqia, të sjellë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, por zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.
Forcat zjarrfikëse janë përqendruar në zonën e Llogarasë, ku përhapja e flakëve drejt pyjeve dhe zonave turistike përbën një kërcënim serioz për biodiversitetin dhe sigurinë e pushuesve.
Ndërhyrjet ajrore pritet të rinisin sërish gjatë ditës së sotme, 23 korrik, me të njëjtët avionë të BE-së, ndërsa autoritetet shqiptare kanë kërkuar mbështetje të mëtejshme në kuadër të mobilizimit ndërkombëtar për përballimin e valës së zjarreve që ka përfshirë vendin.


