Dosja 5D/ U akuzuan për shkelje të barazisë në tendera, Apeli i GJKKO liron nga qelia 5 ish-zyrtarët e Bashkisë Tiranë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot vendimin për ish drejtoreshën e Tirana Parking, Eglantina Zere dhe 4 zyrtarëve të tjerë, konkretisht Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha si dhe Kristo Zhulati duke zbutur dënimet e tyre.
Sipas vendimit të Apelit, të pandehurit u shpallën fajtorë për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, por ndaj tyre u pezulluan masat e dënimit, duke i vënë ata nën shërbim porove për një periudhë 12-mujore.
AKUZAT
Zyrtaret e bashkise Tirane akuzohen se favorizuan në mënyrë të paligjshme një kompani të zotëruar “de facto” nga ish-kreu i Ujësjellësit, Redi Molla dhe ai i IMT-së, Mariglen Qato, duke e ushqyer atë me tendëra publikë.
Ish-drejtorja e përgjithshme e institucionit Tirana Parking, Eglantina Zere dhe katër zyrtarët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati u morën nën përgjegjësi penale për akuzën “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
HETIMET
Sipas SPAK, gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarin e Njësisë së Prokurimit, Kristo Zhulati, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar më 1 tetor të vitit 2019.
Prokuroria vërejti në gjykatë se provat e mbledhura gjatë hetimeve provojnë plotësisht faktin se verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi nuk e kanë bërë anëtarët e KVO-së, por e kanë bërë persona të tjerë që kanë punuar në shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k.


