Ish-deputeti i PS kandidat për drejtues të Gardës së Republikës, në garë dhe ish-funksionari i PL-së! Ja emrat e tjerë

Zhvillohet këtë të enjte në ministrinë e Brendshme intervistimi i tetë kandidatëve që kanë aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës pas dorëheqjes së Ermal Onuzit.
Kujtojmë që Ermal Onuzi dha dorëheqjen nga drejtimi i Gardës më 3 qershor të vitit të kaluar pas vetëm 9 muajsh qëndrimi në detyrë.
Intervistimi i 8 kandidatëve do të bëhet sipas rendit alfabetik: Arian Sopiqoti, Denis Deliu, Faik Basha, Ilirjan Hasanaj, Liman Hoxha, Simon Zereci, Vasil Çuni dhe Zaje Osma.
Denis Deliu është ish deputet i PS-së, i cili hyri në parlament pasi Lefter Maliqi la mandatin e tij. Prej vitesh ka qenë pjesëe Forcave të Armatosura. Faik Basha ka qenë anëtar i kryesisë së Partisë së Lirisë, por njoftoi “divorcin” me partinë në prill të vitit të kaluar para fushatës së 11 majit.
Simon Zereci u komandua në krye të Gardës pas dorëheqjes së Onuzit. Ai ka mbajtur më parë postin e Komandantit të Njësisë Speciale në Gardë. Liman Hoxha ka mbajtur postin e drejtorit të Drejtorisë për Sigurinë e Personaliteteve të Larta Shtetërore në Gardën e Republikës së Shqipërisë.
Intervistimi po bëhet përpara një komisioni vlerësimi, i përbërë nga zv/ministri i Brendshëm, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Gjatë seancës dëgjimore, kandidatët do të prezantojnë platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Gardës së Republikës. Anëtarët e Komisionit do t’u drejtojnë pyetje kandidatëve, në përputhje me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Brendshëm.
Në përfundim të procesit, Komisioni do të bëjë vlerësimin me pikë dhe renditjen e kandidatëve më të vlerësuar, bazuar në dokumentacionin e paraqitur, informacionin e administruar dhe performancën gjatë intervistës. Renditja, së bashku me vlerësimet me shkrim për secilin kandidat, do t’i përcillet ministrit të Brendshëm, i cili do t’ia dërgojë propozimin Kryeministrit, për emërimin përfundimtar.


