Detajet e reja nga grabitja në bankën e nivelit të dytë, autori mori 50 milionë lekë. Dyshohet për një bashkëpunëtor brenda bankës

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me grabitjen e ndodhur ditën e djeshme nga një person i maskuar me një skafandër në një bankë të nivelit të dytë pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Sipas burimeve dyshohet se pistoleta që autori mbante në dorë ka qenë lodër, sepse detektori statik i bankës nuk ka dhënë asnjë sinjal.
Gjithashtu, ka dyshime të forta se brenda bankës ka pasur një bashkëpunëtor, që i ka dhënë direktivat e duhura autorit mbi momentin kur duhet të hynte dhe vendndodhjen ekzakte të zonjës që posedonte paratë.
Mesohet se shuma e grabitur ndaj zonjës së ndodhur në bankë për t’i depozituar është rreth 50 milionë lekë të vjetra.
Paraditen e sotme policia njoftoi arrestimin e rojës së filialit të bankës, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi nuk ka ndërmarrë veprimet përkatëse në momentin e grabitjes.
Autori vijon të jetë në arrati, që nga largimi me një skuter elektrik në rrugicat e qytetit pas grabitjes.


