Bosi i një organizate narkotrafiku, 39-vjeçari shqiptar kapet në Dubai

Një 39-vjeçar shqiptar është arrestuar në Dubai me qëllim ekstradimi drejt Italisë, ndërsa ishte i kërkuar edhe në vendin tonë.
I riu akuzohet si kreu i një organizate të madhe të narkotrafikut në Venecia dhe Shqipëri, duke transportuar jo vetëm kokainë, por edhe marijuanë dhe hashash, deri në Holandë. Përgjimet aktive dhe ndjekja e familjarëve të tij nga Shqipëria, çoi në lokaliziminn e të dyshuarit të dënuar me rreth 9 vite burgim për dy procese të ndryshme, me vendim të formës së prerë.
“Ditët e fundit, në Dubai (Emiratet e Bashkuara Arabe), autoritetet policore, me ndihmën e organeve hetimore të Policisë së Shtetit, në përfundim të hetimeve të koordinuara nga Prokuroria Publike në Gjykatën e Apelit të Venecias, kanë lokalizuar dhe kapur një trafikant të madh droge, një shtetas 39-vjeçar shqiptar, i cili është në arrati që nga viti 2019”, njoftoi policia italiane ditën e sotme.
Shqiptari ishte dënuar në mungesë me 8 vjet e 7 muaj burgim, për bashkëpunim me qëllim trafikimin dhe shitjen e drogës, si rezultat gjyqësor i 2 gjyqeve të ndryshme, përfshirë atë që përfundoi me një dënim të lëshuar nga Gjykata e Apelit e Laguna, e cila, në përfundim të hetimeve të kryera vërtetoi rolin e tij si figurë udhëheqëse në një organizatë ndërkombëtare të degëzuar.


