Alarm në Rumani/ I nxehti ekstrem rrezikon centralin bërthamor, ushtria përdor shpërthimet me eksploziv për… ftohjen

Temperaturat ekstreme që kanë goditur Europën po krijojnë shqetësime edhe për funksionimin e centraleve bërthamore.
Në Rumani, autoritetet ndërmorën një operacion të pazakontë për të siguruar furnizimin me ujë të centralit bërthamor të Cernavodës, i cili përdor ujin e Danubit për sistemin e ftohjes.
Forcat Detare rumune realizuan një shpërthim të kontrolluar nënujor për të larguar një masë shkëmbore që pengonte rrjedhën e ujit drejt Degës së Vjetër të Danubit dhe centralit bërthamor.
Për operacionin u përdorën rreth 180 kilogramë eksploziv, me synimin për të rritur sasinë e ujit që arrin në impiant, në një kohë kur niveli i Danubit ka rënë ndjeshëm për shkak të vapës së zgjatur, shkruan Guardian.
Ministri i Përkohshëm i Mbrojtjes, Radu Miruță, e cilësoi operacionin të suksesshëm, duke theksuar se ai do të ndihmojë si në ftohjen e centralit, ashtu edhe në përmirësimin e lundrimit në lumë.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse kushtet ekstreme të motit vazhdojnë, centrali mund të detyrohet të pezullojë përkohësisht aktivitetin e tij për arsye sigurie. Sipas tij, çdo ditë shtesë funksionimi i impiantit ka një vlerë shumë më të madhe se kostoja e operacionit me eksploziv.
Autoritetet nuk kanë raportuar për ndonjë rrezik të menjëhershëm të një aksidenti bërthamor apo shpërthimi të centralit.
Megjithatë, mungesa e ujit për ftohje përbën një sfidë serioze për funksionimin e sigurt të impianteve bërthamore, ndaj ndërhyrja u konsiderua e domosdoshme për të shmangur një ndalim të parakohshëm të aktivitetit.