Aksidenti në Gramsh ku humbi jetën infermierja dhe u plagos mësuesja, arrestohet në spital shoferi! Policia: Po drejtonte…

Aksidenti tragjik i ndodhur ditën e djeshme (26 janar) në aksin Gramsh-Poroçan, pranë fshatit Bardhaj, i ka lënë vendin hetimeve intensive të Policisë dhe Prokurorisë për dinamikën dhe shkaqet.
Policia e Elbasanit njoftoi sot se ka bërë arrestimin e drejtuesit të mjetit, Shaban Kotorri, 38 vjeç, banues në Gramsh.
Pasi mjeti që drejtonte doli nga rruga dhe ra në një thellësi rrëpirë prej 70 metrash, humbi jetën infermierja Dëshira Hoxha 43 vjeçe.

Dhe u plagos rëndë mësuesja Albana Boja, 39 vjeçe, që po udhëtonin në mjet pasi kryenin shërbimin në fshatrat e largët.
I plagosur ka mbetur edhe drejtuesi Kotorri, që po mjekohet në spital. Ndalimi i tij është kryer për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimi në mënyrë të parregullt.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Gramsh-Porocan”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasja D. H., informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me pasojë vdekjen, drejtuesin e kamionit, shtetasin Sh. K., 38 vjeç, banues në Gramsh”, tha policia.


