Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë/ Mbështeti peticionin e punonjësve, shkarkohet nga puna zv.drejtori Hipotekës

Shkrirja e Kadastrës së Vlorës nuk ka kaluar pa pasoja.
Punonjësit e institucionit kanë protestuar dhe dorëzuar një peticion, ku shprehen kundër zhvendosjes së Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës.
Burime brenda stafit të Hipotekës Vlorë bëjnë me dije se, pas dorëzimit të peticionit, punonjësit kanë marrë mbështetje nga zëvendësdrejtori i Ashk Vlore Sokol Shehaj. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pas kësaj mbështetjeje mësohet se zyrtari në fjalë është shkarkuar nga detyra.
Ndërkohë, raportohet se ndaj 55 punonjësve të Hipotekës Vlorë po ushtrohet presion për përgatitjen e materialeve e drejt Tiranës. Punonjësit shprehen se kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe tension, duke rrezikuar vazhdimësinë e punës së tyre në qytet.
Në shenjë reagimi, punonjësit kanë kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga përfaqësuesit e zgjedhur, ndërsa kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht punën, deri në sqarimin e situatës dhe marrjen e një zgjidhjeje të drejtë.
Një prej banorëve i revoltuar shprehet se ky vendim është “një varr”.
“Ky është varr për neve, për Vlorën. Kemi 10 apo 15 vite me dokumente dhe nuk na shërbejnë. Jemi kundër largimit të Kadastrës, edhe pse këtu nuk marrin informacione dhe nuk na përfaqësojnë, tani do jetë edhe më keq, do jetë më zi, më skëterrë fare. Ne do vijmë, duam pronat, ku do i lëmë, se na thotë e fëmija kaq vite pa dokumente, turp, turp i madh. Ne jemi për të sheshi i flamurit”, shprehet ai.
Kurse një banore tjetër thotë se nuk merr informacionin e duhur, edhe pse ka ndërtim me leje, kurse tani në Tiranë do shkretohet fare çështja e saj.
“Nuk kemi marrë informacion, por tani si do bëjmë, do zhvendoset në Tiranë. Tani do shkretohet në çdo krah. Ne këtu e s’po marrim informacion, jo më në Tiranë. S’e dimë se si do bëjmë, kam një ndërtim me leje dhe tani nuk e dimë se si do bëjmë”, tha ajo.
Por ka edhe nga ata banorë që shprehen përsëri pesimistë, pasi si në Vlorë, ashtu edhe në Tiranë, zgjidhje për ta nuk do ketë për çështje pronash, pasi zvarriten prej vitesh.
“E kam marrë vesh, por unë kam një jetë me dokumente, 30 vite, miliona lekë dhe asnjë zgjidhje, si këtu si atje, unë nuk po marr zgjidhje”, thotë një prej banoreve.


