659 aplikime për patenta në Shqipëri/ Vetëm 11 kërkesa kombëtare, regjistrohen 7 prej tyre

Gjatë vitit 2025, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) u regjistruan 659 aplikime për patenta, por vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre lidhet drejtpërdrejt me aplikantë shqiptarë. Numri i aplikimeve ka ardhur në rënie në raport me një vit më parë, ku regjistroheshin 742 aplikime, por edhe në raport me vitet e mëparshme përjashtuar vitin 2022.
Patenta është një e drejtë ekskluzive e dhënë për një shpikje, e cila mund të jetë një produkt ose një proces, i cili sjell një mënyrë të re të krijimit të diçkaje, ose ofron një zgjidhje teknike të re të problemit.
Sipas të dhënave zyrtare nga DPPI, 11 aplikime ishin për patenta kombëtare/PCT me aplikantë shtetas shqiptarë, ndërsa 648 aplikime ishin patenta të lëshuara nga Zyra Evropiane e Patentave (EPO), për të cilat është kërkuar mbrojtje edhe në Shqipëri.
Në terma relativë, aplikimet kombëtare/PCT të depozituara nga shtetas shqiptarë përbëjnë vetëm rreth 1.7% të totalit, ndërsa rreth 98.3% e aplikimeve lidhen me patenta europiane që kërkojnë mbrojtje në tregun shqiptar.
Aplikimet kombëtare, janë kryesisht të fushës mekanike dhe ushqimore, ndërsa 7 patenta, janë të fushës së artikujve personalë/ shtëpiakë (nevoja njerëzore). Numri më i lartë i aplikimeve ka qenë në vitin 2021 me 23 të tilla. Ndërsa në total janë regjistruar 7 patenta.
Ndërsa sa i takon patentave ndërkombëtare, interesi ka ardhur në rënie, pasi shifra është më e ulëta që nga viti 2019, përjashtuar vetëm vitin 2022 ku u regjistruan 601 aplikime.
Kjo strukturë tregon peshën e lartë që kanë patentat europiane në sistemin shqiptar të pronësisë industriale.
Numri i patentave të ripërtërira në vitin 2025, regjistrohet në 5118.
Patentat europiane që kërkojnë mbrojtje në Shqipëri nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht aktivitet ekonomik të drejtpërdrejtë në vend; ato tregojnë se mbajtësit e këtyre të drejtave kërkojnë të ruajnë mbrojtjen e shpikjeve të tyre edhe në territorin shqiptar.
Për ekonominë shqiptare, vijon të mbetet sfidë rritja e numrit të shpikjeve dhe patentave të krijuara nga studiues, sipërmarrës dhe kompani vendase, në mënyrë që inovacioni të kthehet në një aset ekonomik dhe në burim të ri të konkurrueshmërisë së biznesit shqiptar.
DPPI shërben si institucioni përgjegjës për regjistrimin, administrimin dhe promovimin e objekteve të pronësisë industriale, përfshirë patentat për shpikje.


