One Albania solidarizohet me nismën humane për dhurimin e gjakut
Sa kohë që numri i të prekurve nga sëmundja e talasemisë në Shqipëri, vazhdon të rritet ndjeshëm, nevojat për dhurim gjaku mbeten të mëdha. Nën moton “Dhuro gjak, dhuro shpresë, së bashku shpëtojmë jetë” One Albania, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Bankën Kombëtare të Gjakut, organizuan një aksion për dhurimin e gjakut.
Shqipëria është e prekur nga sëmundja e talasemisë. Janë rreth 300 pacientë që duhet të marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme, pa llogaritur të aksidentuarit që kanë nevojë urgjente për gjak apo pacientët që duhet të bëjnë ndërhyrje kirurgjikale.
Dhurimi i gjakut, ky akt human dhe fisnik, është shumë i nevojshëm për të shpëtuar jetën e kujdo që ka nevojë për një transfuzion gjaku, qoftë të lënduarit nga aksidente, gratë që lindin apo pacientë që përballen me sëmundje kronike.
“Fëmijët talasemikë e kanë të nevojshme njëherë në dy javë një qese gjak, për të jetuar normalisht, përveç mjekimit. Është e domosdoshme që ky flakon gjaku të dhurohet nga njerëz të cilët janë plotësisht të shëndetshëm. E falenderojmë kompaninë One Albania që është gjithmonë e gatshme të na ndihmojë në këtë kauzë dhe shpresojmë që kompani të tjera të ndjekin këtë shembull të mirë”, tha Antigoni Qystri, koordinatore e dhurimit vullnetar të gjakut pranë Kryqit të Kuq.
Në një proces të thjeshtë, i cili zgjat deri në 15 minuta, punonjësit e liderit të telekomunikacionit iu bashkuan kësaj nisme humane dhe fisnike.
“Edhe këtë vit kanë qenë të shumtë punonjësit e One Albania që dhuruan gjak për fëmijët talasemikë, por edhe për çdo pacient tjetër që ka nevojë për një transfusion. Ky solidaritet është kthyer tashmë në një traditë 15-vjeçare, gjatë të cilës kompania i ka qëndruar përkrah Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Bankës së Dhurimit të Gjakut”, u shpreh drejtoresha e Departamentit të Çështjeve të Koorporatës në One Albania, Jonilda Filipi.
One Albania, një kompani e njohur për kontributin dhe vëmendjen që i kushton problematikave sociale të komunitetit, investon jo vetëm duke lidhur njerëzit përmes teknologjisë dhe rrjetit, por edhe me anë të gjesteve humane, të vogla në dukje, por që shpëtojnë jetë.