U kallëzua në SPAK, ministri i Financave publikon pagat: Ja sa kushton kërkesa e gjyqtarëve

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar ndaj tij, Sekretarit të Përgjithshëm dhe drejtorëve të Thesarit në të gjithë vendin, lidhur me refuzimin për të ekzekutuar pagesa shtesë për gjyqtarët dhe prokurorët.
Malaj deklaron se institucioni që ai drejton ka vepruar në përputhje me ligjin dhe se ndryshimi i pagave do të mund të zbatohet pas miratimit të ligjit në Parlament më 17 shtator.
Në reagimin e tij, në rrjetet sociale ministri ka bërë publike edhe faturën financiare të kërkesave të magjistratëve, duke thënë se ato do t’i kushtonin buxhetit të shtetit rreth 40 milionë euro shtesë çdo vit, ndërsa për periudhën 2023-2026 efekti do të arrinte në 125 milionë euro.
POSTIMI I MALAJT:
Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!
Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.
Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.
Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.
Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.
Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:
Gjyqtar i Shkallës së Parë
Është: 376,381 Lekë
Kërkohet: 567,421 Lekë
Gjyqtar i Shkallës së Dytë
Është: 388,927 Lekë
Kërkohet: 586,335 Lekë
Gjyqtar i GJKKO
Është: 401,473 Lekë
Kërkohet: 605,350 Lekë
Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu.
Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.
Ndërkohë u them drejtorëve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.


