Thellohet skandali i SHISH, mjeti që lëvizte Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni ishte me targa të vjedhura, i përkisnin prokurorit të SPAK

Një nga dhjetëra faqet e dosjes së aferës së SHISH-it u komentua së fundmi nga kryeministri Edi Rama, si një linçim ndaj ish-drejtueses Vlora Hyseni.
Por ama, në shumë faqe të tjera rezulton një linçim i përdishëm i vartësve të Vlorës, ndaj SPAK-ut dhe jo vetëm. E këta vartës janë sot ende drejtues në SHISH. I denoncuar publikisht është Jurgen Kole, ndërsa në listën e të dyshuarve të SPAK janë Kole dhe drejtuesi aktual Elvis Lila.
Vetëm një episod do të mjaftonte që i gjithë zinxhiri drejtues i SHISH-it të ishte në pranga sot e më e pakta shkarkuar nga qeveria.
E meqënëse SPAK u akuzua për masë drastike, prokuroria është treguar e butë dhe jo agresive. Sipas Kodit të Procedurës Penale, masa ekstreme është arresti me burg dhe jo arresti në shtëpi, z. Kryeministër.
Nëse nuk e dini, mësojeni.
Mjeti Skoda, në pronësi të SHISH-it, që përdorej nga znj. Hyseni dhe z. Kole, e disa të tjerë në SHISH mbante targat AB 5XX XX.
I njëjti mjet dyshohet se përdorej për lëvizje të sigurta edhe nga i kërkuari nga drejtësia, i dashuri i Vlorës, të cilit i besohej nga SHISH-i.
Por zyrtarisht kjo targë AB 5 XX XX i përket një prokurori në SPAK. E teksa hetimi vijonte e vijon dhe Prokurori ishte në zyrë dhe makina në parkimin e SPAK-ut, ky mjet lëvizte me fenelina nëpër Durrës, Elbasan e disa qytete të Shqipërisë, e jo vetëm lëvizte por shkelte edhe rregullat e qarkullimit.
Pra dikush disa dhe Vlora me siguri e di mirë se si guxuan apo u urdhëruan ta bënin edhe vjedhjen e targave të prokurorit të SPAK dhe vetë SPAK-ut për t’i përdorur në një operacion ilegal.
E nderuara qeveri, i nderuar z.Rama, në të tillë situatë SPAK të ka dhënë një mundësi, hap sytë nga delirantët, sepse nuk do të jetë e largët dita kur, siç kanë folur në emrin tuaj, kanë filluar të thonë se ti do t’i mbrosh pasi ata të shantazhojnë. Kjo nga kafenetë e rrugës.
Në këtë situatë në mos e falenderofsh SPAK-un dhe prokurorinë, lëri të bëjnë punën. Mëso edhe ti sa dardha kanë ngrënë, vjedhur e molepsur pas shpinës tënde, qeverisë dhe në kurriz të Shqipërisë./ Weblajm/


